ISIS, arrestime në Spanjë e Britani

26/09/2014 00:00

Të paktën 9 persona të akuzuar për terrorizëm dhe pjesëmarrje në një celulë të xhihadit të lidhur me Shtetin Islamik janë arrestuar mëngjesin e së premtes në Spanjë.

Sipas shtypit spanjoll, që citon burime pranë Ministrisë së Brendshme, arrestimet janë kryer në enklavat Melila dhe Nador.

Të arrestuarit, 8 me kombësi marokene dhe 1 spanjoll, janë rekrutues dhe luftëtarë të xhihadit dhe ishin bërë gati të niseshin për në Siri ose Irak.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm po këtë të premte policia britanike ka arrestuar dy persona në kuadër të një hetimi mbi terrorizmin islamik.

Dy personat, njëri 33 dhe tjetri 42-vjeçar po mbahen të ndaluar në një komisariat të Londrës që prej orëve të para të mëngjesit. Ndërkohë, 9 persona të tjerë, përfshirë predikuesin islamik Anjem Choudary, po mbahen në arrest pasi u prangosën ditën e enjte.

Policia metropolitane po kryen kontrolle në 18 adresa të Londrës, si dhe një tjetër në lokalitetin e Stokut.

Në një deklaratë thuhet se, 33-vjeçari u arrestua nën dyshimin se është një anëtar dhe mbështetës i organizatave që inkurajojnë terrorizmin, të ndaluara nga i ashtuquajturi “Terrorism Act”. Ndërsa 42-vjeçari u vu në pranga nën dyshimin e mbështetjes së një agresori.

Policia saktëson se arrestimet ishin pjesë e një hetimi që kishte nisur shumë më herët mbi terrorizmin islamik dhe se nuk ishin një përgjigje ndaj një kërcënimi imediat për sigurinë publike.

Top Channel