Kinë, 50 viktima nga trazirat në Xinjiang

26/09/2014 00:00

Të paktën 50 persona kanë vdekur si pasojë e akteve të dhunës të verifikuara të dielën në provincën Xinjiang të Kinës, raportojnë mediat shtetërore, të cilat flasin për një “sulm terrorist serioz”.

Më herët gjatë javës, media shtetërore raportoi për incidentin në lokalitetin Luntai, por numri i viktimave atëherë ishte vetëm dy. Ndërsa vonë gjatë ditës së enjte, portali shtetëror i lajmeve tha se 40 “protestues”, 6 civilë dhe 4 policë ishin vrarë.

Për momentin nuk janë dhënë arsye mbi vonesën e raportimit, por muajt e fundit aktet e dhunës në provincën Xinjiang janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Rajoni në ekstremin perëndimor të Kinës është i populluar nga minoriteti i myslimanëve ujgurë, të cilët janë në konflikt me kinezët e etnisë han.

Portali i qeverisë lokale njoftoi se gjatë së dielës u verifikuan një seri shpërthimesh, fillimisht në dy stacione policie dhe më pas në hyrje të një tregu dhe një dyqani të madh.

“Kryengritësit”, siç i quan shtypi, u vetëhodhën në erë ose u qëlluan nga policia. Nga trazirat 54 civilë mbetën të plagosur, ndërsa dy “kryengritës” u arrestuan.

Konfirmimi i informacioneve mbi incidentet në provincën Xinjiang është i vështirë, pasi aksesi në të është rreptësisht i kontrolluar dhe për rrjedhojë informacioni vjen i kufizuar.

Kina fajëson për incidentet ekstremistët ujgurë, të frymëzuar dhe mbështetur sipas saj nga grupe terroriste të kontinenteve të tjera. Ndërsa aktivistët ujgurë deklarojnë se regjimi shtypës kinez po shkakton irritim dhe dhunë në komunitetet lokale.

Top Channel