Avionët pa pilotë zbarkojnë në Hollivud

26/09/2014 00:00

Administrata Federale e Aviacionit, në SHBA, do t’u japë dritën jeshile regjisorëve të Hollivudit për të përdorur avionë të telekomanduar në sheshet e xhirimit.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë, të cituar nga mediat lokale. Megjithatë, lejet, që do t’u jepen shtatë kompanive të prodhimit të filmave dhe serialeve televizive, do të përmbajnë rregulla kufizuese.

Kështu, dronët do të mund të përdoren vetëm në sheshe xhirimi të mbyllura dhe do të menaxhohen nga një grup prej 3 personash, një prej të cilëve duhet të jetë ekspert në përdorimin e tyre.

Sipas vëzhguesve, bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm drejt një përdorimi më madhor të teknologjisë nga ana e operatorëve tregtarë.

Deri më sot, AFA kishte ndaluar përdorimin e dronëve për qëllime tregtare, me përjashtim të një rasti të kompanisë së naftës “British Petroleum” në Alaskë.

Top Channel