Një hartë për gazetarët e kërcënuar

26/09/2014 00:00

Djegie automjetesh apo forma të tjera frikësimi. Jeta e gazetarëve në Evropë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, në vitet e fundit është gjithnjë e më e komplikuar për ta të bëjnë detyrën e tyre pa vënë jetën në rrezik.

Reporterët duhet të përballen njëkohësisht me policinë, çensurën dhe kërcënimet. Gjatë manifestimeve ata shpesh herë sulmohen nga të dyja palët: policët dhe demonstruesit.

Më pas janë abuzimet me pushtetin dhe shkelja e të drejtës së informimit, gazetarë që nuk pranohen në konferenca shtypi, apo edhe zyra të vandalizuara.

Lista është e gjatë. Ajo është hartuar nga dy shoqata: Index on Censorship dhe Observatori i Ballkanit, që së bashku kanë vendosur të mbledhin denoncime të ndryshme dhe të bëjnë një hartë interaktive.

“Ka shumë raste në Evropë. Njerëzit janë të prirur t’i mohojnë rastet, ose herë të tjera rëndësinë e tyre”, sqaron Melody Patry, që po punon me projektin.

Mbledhja e të dhënave ka nisur në shkurt dhe po realizohet në kohë reale. Çdo “abuzim” paraqitet në hartë me shenjën e një topi të kuq dhe në pjesën e Shqipërisë rezultojnë disa.

Mes vendeve perëndimore më problematike paraqitet Italia, ku janë mbledhur më shumë se 20 raste. Zonat më të prekura të saj janë jugu, kryesisht Kalabria dhe Siçilia, ku së fundmi një gazetar u rrah barbarisht sepse po hetonte mbi një vrasje të kryer në vitin 2012.

Më pas vijnë Gjermania me 8 raste, Franca me 4 dhe Spanja me 2. Me probleme rezultojnë edhe Serbia e Hungaria. Megjithatë projekti nuk ka përfunduar ende, duhen edhe 5 muaj. Por ndërkohë gazetarët vazhdojnë të jenë të kërcënuar.

Top Channel