Isa Mustafa kryeministër?!

26/09/2014 00:00

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ndihet
i rrezikuar se mund të prishet marrëveshja e koalicionit pas zgjedhor,
në ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Kërkesat e ditëve të fundit nga zyrtarë të lartë të LDK-së se lideri i partisë së tyre Isa Mustafa duhet të bëhet kryeministër, ndërsa Ramush Haradinaj zëvendësi i tij, ky i fundit thotë se nuk do t’i përfillin.
 
I nominuari i koalicionit pas zgjedhor për kryeministër, ka thënë se marrëveshja e bllokut është e qartë, është serioze dhe e qëndrueshme.

“Nuk di kujt t’ia dorëzoj për shkak se ne kemi marrëveshje edhe me zotin Mustafa me LDK-në, Nismën, Vetëvendosjen, besoni është një marrëveshje e qëndrueshme, serioze e këto pyetjet e çarshisë, që i prodhon çarshia, ne nuk i përfillim. Pra, kemi të bëjmë me diçka shumë serioze. Ne si Kosovë e dimë se jemi vonuar. Askush nuk e mohon se jemi vonuar në ndërtim të institucioneve. Por, qëllimi është po ashtu ndërtimi i institucioneve por, edhe në harmoni me Kushtetutën, ligjet. Jo një ndërlikim i situatës, që e nxjerr Kosovën ose pozitën e Kosovës jo aq të favorshme në raportin e vlerësimeve që bëhen për proceset e brendshme”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka ritheksuar se takimi me presidenten Atifete Jahjaga që pritet të ftohet sapo kjo e fundit të kthehet nga ShBApor sipas tij mënyra efikase e takimit është veç e veç e jo gjitha subjektet së bashku.

“Mendoj se presidentja në fund të fundit duhet me ndërmarrë veprime që me ju përgjigj shumicës në Parlament. E ka një pozicion jo të lehtë por kur bëhet fjalë për dy të tretat e të zgjedhurve në Parlament edhe ajo duhet me ju gjet një opsion, mundësi që zgjidhja të buron nga dy të tretat e Parlamentit”, theksoi Haradinaj.

Koalicioni pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje të premten kanë zhvilluar takimet e rregullta me përfaqësuesit e subjekteve minoritare në Kuvend.

Top Channel