Zvicër, referendum për sekretin bankar

26/09/2014 00:00

Nisi në vitin 1934 gjatë “depresionit të madh” për të ndaluar rrjedhjen e kapitalit bankar nga vendi dhe që prej asaj kohe nisma e shndërroi Zvicrën në një parajsë fiskale.

Si për rastësi, sërish në një periudhë të vështirë të ekonomisë globale, Zvicra po përballet me presionin e qeverive ndërkombëtare për të patur më shumë akses në sistemin e saj bankar.

Por zviceranët janë një demokraci e zhvilluar ku është votuar në referendum edhe për ndalimin ose jo të ndërtimit të xhamive në vend, e jo më për një çështje të tillë.

Mbi 170 mijë persona me të drejtë vote kanë firmosur një peticion që kërkon mbajtjen e një referendumi për të mbrotjur të dhënat personale bankare. Sondazhet favorizojnë mbështetjen e kësaj privatësie, e thënë më shkoqur; larg duart nga sekretet bankare.

Që prej nisjes së krizës financiare globale autoritetet dhe bankat më të mëdha zvicerane janë përballur me presionin e vendeve të mëdha, qeveritë e të cilave në kërkim të dëshpëruar të të ardhurave për të mbushur sadopak boshllëkun financiar të krijuar nga kriza, u vunë në ndjekje të llogarive të shtetasve të tyre për t’i tatuar.

Fillimisht Zvicra u rezistoi këtyre presioneve, por më vonë u bënë disa lëshime, siç ishte ai ndaj Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve europiane.

Top Channel