Kim Jong-un “shqetëson” mediat botërore

26/09/2014 00:00

Çfarë i ka ndodhur Kim Jong-un-it? Kësaj pyetjeje po i kërkohet një përgjigje nga të gjithë, për shkak të thashethemeve që kanë lindur pas një mungese aspak të zakonshme 3-javore nga sytë e publikut vendas.

Kim është parë për herë të fundit së bashku me bashkëshorten e tij, Ri Sol Ju, në një koncert në Penian më 3 Shtator, ndërsa disa agjenci mediatike po spekulojnë në lidhje me shëndetin e 31-vjeçarit.

Zërat janë intensifikuar së tepërmi të enjten, pas mungesës së liderit koreano-verior në një nga takimet shumë të rëndësishme të Parlamentit. “Reuters” raportoi lajmin se imazhet e publikuara nga televizioni shtetëror shfaqnin karrigen e tij të boshatisur në Asamblenë Supreme të Popullit, apo trupa më e lartë qeverisëse e vendit komunist, një gjë e rrallë që ai të mungojë në një takim kaq të rëndësishëm që prej ardhjes në pushtet, 3 vjet më parë.

“Wall Street Journal” spekuloi më tej, gjatë së premtes, se Kim mund të jetë duke vuajtur nga përdhesa, një sëmundje e shkaktuar kryesisht nga marrja e tepruar e mishit, sheqerit dhe alkoolit. Një zyrtar koreano-jugor tha për “Journal” se përdhesa është një sëmundje e trashëguar mes klanit të tiranëve, duke nisur që nga gjyshi i Kimit, Kim Il Sung, i cili ndërroi jetë në vitin 1994, në moshën 82-vjeçare. Kim vuan gjithashtu edhe nga obeziteti, presioni i lartë i gjakut dhe diabeti, bëri të ditur ai.

Zëra të tilla janë ushqyer më tej edhe nga raportimet se televizioni koreano-verior tregoi liderin suprem të vendit teksa ecte duke çaluar, më herët gjatë Korrikut. Një tjetër teori në lidhje me shëndetin e tij, sipas “Agjencisë France-Presse”, flet për një dëmtim të pësuar gjatë “udhëzimeve” ndaj atletëve koreano-veriorë, të cilët garojnë në Lojërat Aziatike, që po zhvillohen aktualisht në Incheon të Koresë së Jugut.

Top Channel