Mbyllet “mali i argjendtë”

26/09/2014 00:00

Andet rrethojnë qytetin e Potosi në jug-perëndim të Bolivisë, por njëri prej tyre i vendosur veçmas dhe në një formë thuajse perfekte konike, bie më shumë në sy.

Bëhet fjalë për malin Cerro Ferro (Mali i Pasur) i lidhur ngushtë me historinë e Bolivisë, por edhe të vetë Mbretërisë së Spanjës.

Mali strehon sasi të mëdha argjendi dhe mineralesh të tjera të çmueshme, por pas  500 vitesh shfrytëzim, sot është në gjendje të mjerueshme dhe si autoritetet vendase, ashtu edhe UNESCO, që e ka përfshirë në pasuritë që duhen ruajtur në vitin 1987, lëshojnë alarmin.

Kupola e malit rrëzikon të shëmbet si pasojë e gërmimeve të vazhdueshme në bazamentin e tij. Ai është i vetmi burim jetese për banorët vendas dhe rreth 15 mijë vetë janë punësuar në nxjerrjen argjendit çdo ditë.

Kjo ka detyruar autoritetet të vendosen përballë një mëdyshjeje jo pak të vështirë; të mbyllin minierat duke u ndërprerë të ardhurat e vetme banorëve vendas, apo të vazhdojnë gërmimet duke rrezikuar jo vetëm humbjen e malit të shndërruar në pjesë të historisë kombëtare, por edhe jetën e njerëzve.

Kushtet teknike me të cilat punojnë minatorët janë primitive dhe viktimat çdo vit regjistrohen në qindra. Kjo i ka dhënë edhe emrin “Mali që ha njerëz”, apo “Mali i Djallit”.

Duke përllogaritur dëmin e shkaktuar nga mbyllja dhe atë të shkaktuar nga mosmbyllja e galerive në këtë mal, autoritetet boliviane vendosën të ndërmarrin të parën. Ato njoftuan mbylljen pa afat të minierave dhe nisjen menjëherë nga puna të një projekti me vlerë 2.4 milion dollarë për mbushjen e zonave që rrezikojnë të shembin kupolën e malit.

Mali është shfrytëzuar fillimisht nga spanjollët kur kolonizuan këtë pjesë të Amerikës Latine dhe ishte një ndër burimet më të mëdha financiare që ndihmuan në ngritjen e Mbretërisë së Spanjës në nivelin e njërës prej mbretërive më të pasura dhe të fuqishme të kohës.

Top Channel