Një ngjarje aspak e zakontë raportohet pranë një varreze në Selanik të Greqisë, raportimet mbi të cilën policia ka nisur t’i hetojë, pasi është mësuar se një grua u zgjua në arkivol dhe e varrosur, e që më pas nuk mundi t’i mbijetojë incidentit pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar.

Disa njerëz, të cilët po vizitonin varrezat pranë Selanikut, i thanë policisë se kishin dëgjuar të bërtitura dhe të goditura nga nëntoka e një varri të një femre, 1 orë pas funeralit të saj të zhvilluar të enjten.

Edhe pse përpjekjet për ta nxjerrë arkivolin nga varri u kryen me shpjetësi, gruaja 45-vjeçare nuk mundi t’i mbijetonte ngjarjes tragjike. Ajo ishte deklaruar më herët e vdekur nga doktorët, të cilët po e trajtonin atë për kancer.

Funerali i saj u zhvillua në Peraia, një fshat i vogël 22 km në Jug të Selanikut, qytetit më të madh të Greqisë veriore.

Menjëherë pasi të afërmit e fundit ishin larguar nga varrezat, banorë të zonës dhe një grup fëmijësh që po luanin aty afër kishin dëgjuar një zë femre që kërkonte ndihmë nga brenda varrit.

Ata njoftuan policinë dhe nisën zhvarrosjen për ta shpëtuar atë, por ajo kishte ndërruar jetë nga asfiksimi brenda arkivolit, raporton media greke. Gjithsesi, një doktoreshë, e cila ishte në vendngjarje dhe ekzaminoi trupin e saj, tha se ajo ishte e vdekur prej disa orësh dhe ishte e pamundur që të ishte ngjallur.

“Thjesht s’mund ta besoj”, tha Chrissi Matsikoudi për televizionin Mega. “Ne bëmë disa teste, përfshi edhe njërën për mosfunksionimin e zemrës në trupin e saj”, tha mjekja. Është thuajse e pamundur për “dikë në gjendje ngurtësimi kyçesh e muskujsh, që të ketë bërtitur apo të ketë goditur arkivolin”, shtoi ajo.

Një mjek ligjor pritet të ekzaminojë sërish trupin e saj, ndërkohë që të afërmit e viktimës kanë thënë se do të dorëzojnë një ankesë kundër doktorëve përgjegjës për trajtimin e saj në një klinikë për kancerin.

Top Channel