“Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë”

26/09/2014 00:00

Dokumentari për akademikun Rexhep Qosja, i mbështetur nga Digitalb, pas premierës në Tiranë u shfaq para një audience masive edhe në Prishtinë.

“Rexhep Qosja, rilindësi i kohës sonë” është një produksion televiziv i pari i këtij lloji për akademikun e njohur shqiptar, i cili nëpërmjet intervistave rrëfen anët e panjohura jetësore dhe profesionale të njeriut që i kushtoi jetën e tij pasurimit të letrave shqipe.

“Rexhep Qosja është një intelektual evropian, thotë Pëllumb Xhufi në këtë dokumentar. Rexhep Qosja flet, polemizon, përsërit, këmbëngul… A ka pasur përherë të drejtë? Koha e ndan të drejtën nga e padrejta, por koha ka treguar që Rexhep Qosja është autoritet i rëndësishëm moral i shqiptarëve”, tha gazetarja Rudina Xhunga.

Kjo është hera e dytë që ky dokumentar shfaqet para publikut, i cili si në Tiranë, u prit mjaft mirë.

“Dua të falenderoj autoren e skenarit dhe të filmit dokumentar për mua, Rudina Xhungën. Dua të falenderoj Digitalbin dhe ekipin e Rudina Xhungës”, tha Rexhep Qosja.

Dokumentari shfaqet ndërsa kanë parë dritën e botimit edhe ditarët e akademikut, një kolanë e pasur që sjell historinë e jetuar në pellgun më të trazuar të Ballkanit Perëndimor.

“Jemi me shumë fat që jemi bashkëkohësit e tij, bashkëpunëtorët e tij në botimin e veprave të tij”, deklaroi botuesja Irena Toçi.

Top Channel