Edhe Franca hedh poshtë “sulmin” ndaj metrove

26/09/2014 00:00

Deklarata e kryeministrit irakian, Haider al-Abadi, mbi informacione “të besueshme” për komplote terroriste nga militantë të Shtetit Islamik në metrotë e Shteteve të Bashkuara apo Francës, ka marrë të njëjtin reagim nga të dyja palët e përfshira në këtë paralajmërim.

Ditën e enjte kanë qenë zyrtarë nga Uashingtoni dhe nga agjencitë amerikane të inteligjencës, të cilët reaguan menjëherë për të hedhur poshtë “besueshmërinë” e këtyre informacioneve, duke thënë se nuk ka asnjë informacion të konfirmuar se mund të ndodhë diçka e tillë, pavarësisht se nuk përjashtohet si mundësi dhe masat janë marrë për t’i paraprirë çdo sulmi të mundshëm.

Ndërkohë, të premten ka reaguar edhe ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, i cili theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë konfirmim ndaj informacioneve të kryeministrit irakian, mbi sulme të mundshme nga militantë të Shtetit Islamik në metrotë e Parisit.

Fabius, duke folur në një konferencë për shtyp në Kombet e Bashkuara, ka thënë se informacioni i dhënë nga irakianët është verifikuar në mënyrë rigoroze, duke shtuar se “në këtë moment, nuk ka absolutisht asnjë konfirmim zyrtar”.

Top Channel