Rikthehet “Different Trains”

26/09/2014 00:00

“Different Trains”, festivali i muzikës së dhomës, është rikthyer për publikun në edicionin e tij të tretë me koncertin e parë që u zhvillua pranë Universitetit të Arteve. 

Dy artistëve shqiptarë Klaidi Sahatçi dhe Vlorent Xhafaj, pjesëmarrës edhe në edicionet e kaluara, u janë bashkuar artistë të tjerë të njohur në skenat ndërkombëtare: Jonian Ilias Kadesha, Altin Tafilaj, Alexander Somov, Vladimir Bukac, Bartek Niziol dhe Alexander Kobrin.

Violonçelisti Vlorent Xhafaj shprehet: “Tre janë qëllimet kryesore të këtij festivali. Mbi të gjitha është muzika: sjellja e muzikës së vërtetë instrumentale në Shqipëri. E dyta është sjellja e disa muzikantëve shqiptarë mjaft të rëndësishëm në botë që nuk kanë mundësinë që të luajnë shpesh në vendin e tyre dhe e treta është që muzikantët e huaj që vijnë, të jenë të një statusi të lartë ndërkombëtar.”

Violinisti Jonian Ilias Kadesha thotë: “Ajo që më bën përshtypje në këtë festival është që të gjitha veprat vijnë si premierë në Shqipëri.”

Ndërsa violinisti Bartek Niziol thekson: “Falenderoj organizatorët që sjellin në këtë vend të bukur kultura dhe njerëz nga vende të ndryshme. Është e mrekullueshme sesi muzika i bashkon njerëzit.”

“Different Trains” këtë vit edhe në ndihmë të të rinjve. “Nuk duam që të ngelet thjesht në kontekstin e koncerteve, por të japim një kontribut për vendin tonë edhe me master klase”, deklaron Klaidi Sahatçiu.    

Përpos koncerteve në Tiranë, Sahatçiu shprehet se këtë vit “Different Trains” do të shkojë edhe në Vlorë: “Shpresojmë të kemi edhe atje një pritje të mirë.”

Koncerti më i afërt i “Different Trains” është ai që do të mbahet në TKOB më datë 27 shtator, ora 19.00.

Top Channel