E mbani mend Zamoranon? Ka falimentuar

26/09/2014 00:00

E mbani mend Ivan Zamorano? Në fund të viteve ’90 dhe në fillim të 2000 ishte pjesë e skuadrës së Interit dhe vlerësohej si një ndër sulmuesit më të mirë të atyre ditëve, por edhe ndër më të paguarit.

Së bashku me Ronaldo-n dhe Roberto Biaggo-n ishte pjesë e një super-skuadre që nuk fitoi asnjë trofe të rëndësishëm, e ndaj u quajt edhe “skuadra e yjeve të shuar”.

Por pavarësisht mungesës së trofeve ato ditë ishin ditë të arta për financat e sulmuesit kilen, i cili sot është transformuar dhe zhytur në borxhe dhe gjithë këtë thotë se e ka bërë për të ndihmuar vendin e tij.

Në një intervistë publikuar për “El Libero” në Kili, ish-futbollisti rrëfen se kompania që drejton aktualisht ka një borxh total prej 3 milion euro.

“Nuk kam folur më parë për këtë çështje pasi po shikoja mundësitë për të gjetur një rrugëzgjidhje. Fatmirësisht në anën financiare problemi është i zgjidhshëm dhe nga ky telash mësova se para së gjithash duhet të merrem me punët e mia”, thotë ai.

Për ish-sulmuesin e Colo Colo-s, Realit të Madridit dhe Interit kjo situatë do të nxjerrë akomë më të fortë.

“Në jetën time profesionale dhe personale kam kaluar shumë telashe. Kur isha tek Colo Colo më përzunë, tek Reali më thanë që do të isha sulmuesi i pestë dhe pavarësisht kësaj arrita të shënoj pjesën më të madhe të golave në karrierën time, tek Interi më thanë se duhej të hiqja dorë nga numri 9 dhe të merrja 1+8. Nga gjithë këto situata unë kam dalë më i fortë dhe kjo do të ndodhë edhe kësaj radhe”, shton ai.

Top Channel