Ndihmuan pas sulmeve të 11 Shtatorit, ndërrojnë jetë në të njëjtën ditë

26/09/2014 00:00

Tre zjarrfikës, të cilët kanë qenë me shërbim në “Ground Zero” gjatë sulmeve të 11 Shtatorit 2001, kanë ndërruar jetë në të njëjtën ditë nga kanceri.

Lejtnant Howard Bischoff, 58 vjeç, dhe zjarrfikësit Robert Leaver, 56 vjeç, e Daniel Heglund, 58 vjeç, ndërruan jetë gjatë së hënës, me vetëm pak orë diferencë nga njëri-tjetri.

Mijëra njerëz, të cilët ndihmuan gjatë përpjekjeve të shpëtimit në atë 11 Shtator, janë diagnostikuar me sëmundje të ndryshme, përfshi kancerin. Por, doktorët thonë se është ende e paqartë nëse sëmundjet duhen të lidhen me sulmet e atëhershme.

Një zyrtar i zjarrfikëses, Daniel Nigro, i përshkroi vdekjet e 3 personave si një “kujtesë e dhimbshme, që edhe pas 13 vitesh ne paguajmë një çmim të shtrenjtë dhe të tmerrshëm për përpjekjet heroike të departamentit tonë”.

“Gjatë asaj dite, kur mbërritën ndihmësit e parë, ajri ishte i mbushur me lëndë toksike dhe mbeti i tillë për shumë muaj pas ngjarjeve”, tha presidenti i Federatës së Oficerëve në Uniformë të Zjarrfikësve, James Lemonda.

Rreth 1 mijë viktima janë lidhur me sëmundje të shkaktuara prej pluhurit toksik, që u ngrit nga rrënojat në “Ground Zero”. Shumë prej atyre që ishin në vendngjarje kanë vuajtur me kalimin e viteve nga sëmundje respiratore, ndërsa qindra prej ndihmësve të parë janë diagnostikuar me kancer.

Por, pavarësisht këtyre shifrave, asnjë lidhje e qartë mes sulmeve dhe kancerit nuk është zbuluar deri më tani. Studimet mjekësorë nuk kanë raportuar prova mbi rritjen e konsiderueshme të normave të kancerit ndaj atyre personave që patën lidhje me sulmet e 11 Shtatorit, edhe pse raportimet qeveritare kanë sugjeruar se punonjësit u ekspozuan ndaj kimikateve të ndryshme, që mund të shkaktojnë kancer.

Departamenti i Zjarrfikëses në Nju Jork ka bërë të ditur se, veç 343 punonjësve që ndërruan jetë ditën e sulmeve, edhe 89 të tjerë kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve.

Top Channel