Prodhimet bujqësore në Korçë

26/09/2014 00:00

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti teksa ka zhvilluar një vizitë në një prej ambjenteve frigoriferike në fshatin Vranisht në rrethin e Devollit ka theksuar se gogozharja, një prej prodhimeve vendase tradicionale do të deportojë edhe në tregjet e lindjes, ndërkohë që sipas tij, krahas prodhimeve të tjera si patatja, fasulja e të tjera, edhe kjo perime do të futet në skemën e mbështetjes financiare.

“Tani ndodhemi në një moment kthese. Ne gogozharen do ta fusim në skemat e mbështetjes direkte financiare për vitin e ardhshë, ashtu sic do bëjmë edhe me fasulen pllaqi, pataten dhe me mollën. Këto janë kulturat ku qarku i Korçës ka avantazhe konkurruese dhe krahasuese dhe mundet të konkurojnë denjësisht edhe në tregjet e huaja”, tha Panariti.

Ndërkohë në sezonin e vjeljes së mollës Ministri Panariti ka theksuar se për fermerët të cilët kultivojnë mollën do të ketë politika lehtësuese por primare mbetet orientimi i tyre në treg drejt varieteteve të reja.

“Jemi në pikun e prodhimit, në kulmin e sezonit dhe ajo që është kryesore, sfida e të gjithëve ne është që molla të shkojë në treg që të mos kemi firo, të mos kemi dëme. Prodhimi këtë vit është shumë i mbarë. Llogaritet në rreth 60 mijë ton. Kryesorja është që molla duhet të shkojë në treg, kryesisht në eksport. Eksporti është burimi kryesor i tërheqjes së mallit, por të mos harrojmë tregun vendas”, deklaroi ministri.

Sipas të dhënave këtë vit prodhimi i mollës është rritur me 15 000 ton më tepër krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që sipas Ministrit për të gjitha prodhimet vendase sfidë mbetet orientimi i fermerëve drejt kërkesave të tregut.

Top Channel