Prokuroria e Kukësit kërkoi një total prej 113 vitesh burg  dhe 37.500.000 lekë gjobë për 20 persona, administratorë kompanish private të akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtruese të rimbursimit të TVSH-së.

Mbi ta rëndojnë akuzat e “Mashtrimit” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”. Sipas prokurorise, në bazë të kësaj skeme mashtruese, personat e përfshirë kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga administrata tatimore një shumë rreth 2.5 milionë euro. Nga dosja e prokurorisë mësohet se disa subjekte private, të cilat operojnë kryesisht në fushën e rikonstruksioneve të ndërtimeve dhe që kanë fituar në procedurat të prokurimit publik në disa institucione publike, kanë paraqitur në  mënyrë të rreme shoqërinë “DIELLI-I.I-B” Sh.p.k, me administrator shtetasin kosovar Ismet Syla, si shoqëri nënkontraktore për kryerjen e punimeve.

“Pas hetimit të kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është arritur në përfundimin se administratorët e këtyre kompanive dhe administratori i “DIELLI-I.I-B” Sh.p.k  Ismet Syla, i cili është arrestuar pak kohë më parë janë përfshirë të gjithë në një skemë mashtrimi rimbursimi të TVSH.

Fakti që këto subjekte nuk e kanë pasur si nënkontraktor kompaninë “DIELLI-I.I-B” Sh.p.k është pranuar edhe nga vetë administratorët e tyre, të cilët për më tepër, nuk ua kanë bërë të ditur autoriteve që do të rikonstruktonin ndërtesat e tyre dhe që do të punojnë nëpërmjet nënkontraktorit.” , thuhet në konkluzionet e organit të akuzës.

Kjo për prokurorinë ka ndodhur pasi në të vërtetë nuk kanë pasur nënkontraktor, por e kanë përfshirë në mënyrë të rreme, për të përfituar në formë të paligjshme rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Tashmë priten konkluzionet e avokatëve të të 20 të pandehurve e më pas vendimi i Gjykatës së Kukësit.

Top Channel