Misteri i kafshës monstruoze në Islandë

26/09/2014 00:00

Kur pamjet e një gjallese që gjarpëronte nën akullin e një lumi në Islandë nisën të qarkullojnë, ekspertët ngritën dyshime mbi vërtetësinë e tyre.

Por tani një panel i ngritur për studimin e pamjeve mbërriti në përfundimin se pamjet e filmuara nga islandezi Hjortur Kjerulf janë autentike dhe në to është Lagarfljotsormurinn, emri me të cilin islandezët quajnë një monstër, që deri më tani besohej se ishte pjellë vetëm e mitologjisë.

Filmimi është kapur në javët e para të 2012-ës. Në të shihet krijesa misterioze duke notuar nën akullin e lumit Jokulsa i Ljotsdal, në lindje të Islandës.

Krijesa besohet se jeton në ujërat e liqenit Lagarfljot, i cili ka një sipërfaqje prej më shumë se 30 kilometrash gjatësi. Gojëdhënat thonë se në të shkuarën kjo krijesë është parë disa herë nga banorët vendas, që prej vitit 1345, kur besohet se edhe është regjistruar kontakti i parë mes krijesës dhe njerëzve.

Gjatësia e kafshës misterioze besohet se shkon deri në 91 metër, përmasa që të fusin tmerrin.

Megjithatë, të paktë janë ata që besojnë ekzistencën e kësaj gjallese. Disa ekspertë thonë se vendimi i panelit për të vlerësuar si autentike pamjet është një vendim në përpjekje për të tërhequr turizmin. Disa prej tyre thonë se me shumë gjasa ajo që shihet në video nuk është një gjallesë, por një rrjetë peshkatarësh e hedhur në liqen e që më pas ka përfunduar në ujërat e lumit. 

 

Top Channel