Stefan Fule, të hënën në Tiranë

26/09/2014 00:00

Stefan Fule, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë viziton Tiranën të hënën për të bashkëdrejtuar me Kryeministrin Edi Rama raundin e 4 të Dialogut të Nivelit të Lartë për prioritetet kyçe, që nisi Nëntorin e vitit të kaluar, “me qëllim intensifikimin e punës së Shqipërisë ndaj reformave të domosdoshme në fushat kyçe me mbështetjen e Komisionit Europian”, kujton zëdhënësi Peter Stano.

Të drejtat e njeriut, gjyqësori, korrupsioni, krimi i organizuar dhe reforma e administratës publike janë 5 prioritetet kyçe që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës e i qëndrueshëm, kërkohet dialog politik konstruktiv mes palëve.

“Ky raund shënon takimin e parë që prej marrjes së statusit kandidat dhe mbahet pak ditë para finalizimit të raportit vjetor të progresit mbi Shqipërinë që parashikohet të publikohet në gjysmën e parë të Tetorit”, konfirmon Stano.

Sundimi i ligjit, reforma në gjyqësor dhe administratë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit,  zbatimi i deritanishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe zhvillimet ekonomike në vend janë fushat kryesore që pritet të vlerësohen në raportin e vjeshtës, e midis të tjerash pritet të përmendet dhe çështja e vjedhjes në Bankën Qëndrore dhe arrestimi i drejtuesve të saj.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel