Bushati: Lufta ndaj ISIS, betejë afatgjate

27/09/2014 00:00

Në kuadër të Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u mbajt edhe Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore. Shqipëria mori kryesimin e këtij forumi të rëndësishëm, ku për herë të parë edhe Kosova u përfaqësua me të drejta të barabarta.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në një lidhje me “Skype”, ku foli mbi prioritetet e presidencës shqiptare të këtij forumi të rëndësishëm, gjithashtu edhe mbi miratimin e rezolutës mbi luftëtarët e huaj terroristë.

Zorti Bushati tha se lufta ndaj terroristëve do të jetë një betejë afatgjate që do të kërkojë jo vetëm një strategji të mirëkoordinuar, por edhe veprime konkrete në terren.

Pandi Gjata: Takime të shumta në kuadër të punimeve të OKB-së. Cilat do të jenë prioritetet e presidencës shqiptare të këtij forumi të rëndësishëm dhe ku do të fokusohet për 2014-2015?

Ditmir Bushati: Asambleja e Përgjithshme dhe Nju Jorku është një mundësi e mirë për të mbledhur shumë homologë që përfaqësojnë vende të ndryshme të botës. Në këtë kontekst kemi zhvilluar edhe mbledhjen e parë të presidencës shqiptare të vendeve që janë pjesë e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës jug-lindore. Një platformë e gjerë që përfshinë shtetet anëtare të BE dhe të NATO-s, shtete të cilat aspirojnë, nga Turqia deri në Moldavi. Për herë të parë Kosova mori pjesë me drejta të plota. Presidenca shqiptare është e fokusuar në dy linja, së pari në forcimin e identitetit rajonal në procesin e integrimit, duke përmirësuar disa prej nismave ekzistuese. Nga njëra anë kemi procesin e Berlinit, që kulmoi me konferencën në Berlin, e cila do të vazhdojë me drejtimin e Austrisë. Në këtë konferencë u përcaktuan disa prej piketave se si do të lëvizi rajoni në drejtim të rrugëtimit në BE. Nga ana tjetër kemi iniciativën e propozuar nga Komisioni Europian dhe të rënë dakord edhe me vendet e procesit të stabilizim-asocimit për të thelluar këtë bashkëpunim, kryesisht në fusha të tilla si energjia dhe transporti. Edhe Presidenca shqiptare do të lëvizi në këto dy shina kryesore duke fokusuar bashkëpunimin rajonal dhe duke përmirësuar instrumentat që do t’i paraqiten jo thjesht BE, por edhe institucioneve financiare kryesore. Dhe pse jo për një të ardhme të afërt, pasi këto ide të konsolidohen në projekte të kemi edhe mbështetje nga kapitali privat. Jam i gëzuar pasi të gjitha vendet morën pjesë dhe kontribuuan në fillimin e presidencës shqiptare dhe prezantimin e prioriteteve. Do të ketë një seri takimesh nga nivele të ndryshme, do të ketë edhe ministeriale. Jam i gëzuar që në takimin e parë mori pjesë edhe Fule, i cili pati mundësi të ndajë me të gjithë ne ide se si mund të përmirësohet ndërveprimi në rajon mbi projektet të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.  

Pandi Gjata: Një ditë më parë morët pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku dhatë votën ‘pro’ të Shqipërisë në miratimin e rezolutës për luftëtarët e huaj, po ashtu keni patur edhe një sërë takimesh me zyrtarë të lartë. Cili do të jetë roli specifik i Shqipërisë në këtë luftë të nisur me ekstremistët e ISIS dhe si do të koordinohen lëvizjet me aleatët?

Ditmir Bushati: Shqipëria ka qenë pjesë e koalicionit që në momentet e para, duke ndihmuar qeverinë e Irakut me armatime në një bashkëveprim të sinkronizuar me aleatët tanë në NATO dhe SHBA-në. Gjithashtu është krenari të njoftoi se Shqipëria ka qenë bashkëmbështetëse e rezolutës që u miratua në Këshillin e Sigurimit. Bëhet fjalë për një rezolutë, e cila miratohet nën kreun 7 të Këshillit të Sigurimit, që do të thotë se është e detyrueshme për të gjitha vendet. Autoritetet shqiptare ligjzbatuese janë duke punuar në aspektin legjislativ ku janë ashpërsuar masat ndëshkimore për të gjithë personat që mund të bien pre e rrjetit të rekrutimit. Së dyti, në një punë që autoritetet shqiptare bëjnë kryesisht me përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Ne kemi një komunikim dhe një bashkëpunim shembullor me të gjithë këta drejtues. Vizita e Atit të Shenjtë në Shqipëri ishte një mesazh shumë i mirë që Shqipëria i tha jo vetëm rajonit, por edhe botës për mënyrën se si bashkëjetojnë komunitetet fetare. Kjo është mbështetur dhe është vlerësuar edhe në të gjitha kontaktet që unë pata në Nju Jork. Së treti, ne po punojmë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë për të shikuar edhe programe të karakterit ekonomik dhe social, të cilat do të shtonin ndjenjën e solidaritetit për të gjithë ata persona që bien viktima të kësaj loje që nuk ka asgjë të përbashkët me fenë. Së katërti, nevojitet një bashkëpunim më i përforcuar, për sa i përket aspektit ndërkufitar duke qenë se të gjitha vendet janë të prekura nga ky fenomen. Për sa i përket ndarjes së informacionit në një kohë reale dhe bashkëpunimit në fushën policore dhe në fushën gjyqësore. Do të jetë një betejë afatgjate që do të kërkojë jo vetëm një strategji të mirëkoordinuar, por edhe veprime konkrete në terren. Ka qenë një ndër temat kryesore që ka dominuar të gjithë axhendën paralele që zhvillohet me atë zyrtare. Kemi bërë nën koordinimin amerikan të zonjës Nulan edhe një seancë pas miratimit të rezolutës të detajuar në të gjitha vendet e rajonit tonë, në mënyrë që të përforcojmë këtë bashkëpunim, i cili ka nisur dhe besojmë që se do të korr edhe frytet e veta.

Top Channel