“Sulmet ajrore ndaj ISIS, të pamjaftueshme”

27/09/2014 00:00

Shefi i Forcave të Armatosura të SHBA ka thënë se ISIS është dëmtuar ndjeshëm nga sulmet ajrore e ndërmarra deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, por ai shtoi se vetëm ndërhyrja nga ajri nuk është e mjaftueshme për të mposhtur terroristët.

Gjenerali Martin Dempsey tha se një zgjidhje politike dhe një ndërhyrje tokësore janë të nevojshme për të shkatërruar Shtetin Islamik në Irak dhe në Siri.

Gjatë së premtes, Mbretëria e Bashkuar ra dakord për t’u bashkuar në sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA ndaj Shtetit Islamik. Ndërkohë, avionët luftarakë francezë tashmë janë duke marrë pjesë në sulmet në Irak, gjithashtu edhe Belgjika dhe Danimarka ka dërguar avionë.

Duke folur në Pentagon, Gjenerali Dempsey tha se sulmet ajrore të kësaj jave kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të militantët e ISIS. Ai tha se rimarrja e territoreve që tashmë janë në duart e terroristëve në Irak dhe Siri kërkon të ndërmerren veprime shtesë, përveç sulmeve ajrore, por nëse do të ketë ndërhyrje tokësore në të nuk do të ketë trupa amerikane.

Rreth 40 vende, duke përfshirë disa edhe nga Lindja e Mesme, janë bashkuar me koalicionin e udhëhequr nga SHBA kundër ISIS. Deri tani vendet europiane kanë rënë dakord  për të goditur objektivat vetëm në territorin irakian, pas ndihmës së kërkuar nga qeveria vendase.

Por Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sulmuar nga ajri objektiva të ISIS edhe në lindje të Sirisë.

Top Channel