Aleatët bombardojnë bazat e ISIS në Kobane

27/09/2014 00:00

Bazat e ISIS përreth qytetit të Kobanes në afërsi të kufirit mes Sirisë dhe Turqisë janë vënë në shënjestër të bombardimeve ajrore të aleatëve.

Sipas BBC natën mes së premtes dhe së shtunës janë dëgjuar avionë në qiell dhe më pas një sërë shpërthimesh të fuqishme në zonat përreth qytetit. Për momentin nuk ka asnjë konfirmim nga Shtetet e Bashkuara apo aleatët për sulmet.

Kobane mbahet i rrethuar nga ekstremistët prej disa ditësh dhe luftimet mes tyre dhe forcave kurde që e mbrojnë atë kanë zhvendosur mijëra banorë drejt Turqisë. Situata ka qenë e tensionuar edhe në kufi, ku forcat turke janë përpjekur të ndalojnë kurdët që kërkojnë të rikthehen për të mbrojtur qytetin e tyre.

Sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar luftëtarët e Shtetit Islamik ngado në Siri, por disa zyrtarë ushtarakë kurdë kanë thënë se ato e kanë bërë më të pasigurt situatën në Kobane, duke zhvendosur ekstremistët të shkojnë drejt kufirit me Turqinë.

Top Channel