Një vit pas humbjes së zgjedhjeve, demokratët po përpiqen të ringrihen. Pas zgjedhjes së kryetarit, Partia Demokratike po mban Kuvendin e saj Kombëtar, forumin më të lartë vendimmarrës, ku pritet të miratohen ndryshimet në statut si edhe të zgjidhet Këshilli Kombëtar.

Kryetari Lulzim Basha kishte vendosur ndjesën në plan të parë për qytetarët e zhgënjyer, sepse sheh tek ky zhgënjim korrupsionin dhe indiferencën e demokratëve ndaj qytetarëve.

“Unë ju kërkoj ndjesë me përulje. Para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që mund të jenë të ndjerë të braktisur dhe kanë patur arsye të ndihen të zhgenjyër në pritshmëritë e tyre dhe bashkë me ndjesën dua t’ju deklaroj angazhimin, vendosmërinë, përkushtimin tim, përkushtimin për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona”, tha Basha.

Por që të ringrihen, demokratët duhet të ndjekin traditën e tyre: hapjen me qytetarin që nuk pranon t’i cënojnë lirinë.

“Hapja është në traditën e PD. Ne duhet të hapemi për të gjithë njerëzit e ndershëm. Kush vjen nuk vjen për t’i zënë vendin dikujt tjetër, por për të dhënë kontributin e tij në rrugën e politikës, për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë”, tha Basha.

Vetëm për të inkriminuarit nuk ka vend në PD, theksoi Basha, që akuzoi kryeministrin Rama si frymëzues të dhunës në Parlament dhe e sfidoi atë duke i ofruar një marrëveshje.

“Më kot shkon me mendimin se opozita do të lodhet dhe do kthehet e penduar në Kuvend. Të mos presë kot as ai as suflerët e tij. Edi Rama duhet të rrëfehet dhe të bëjë një ‘mea culpa’, për të shkuar në një marrëveshje me opozitën, që do të zgjidhte çështjen e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të çështjes së dekriminalizimit të Parlamentit dhe mbarë administratë publike, duke çmontuar në themel mekanizmin që promovon trafikantë, pengmarrës e vrasës në poste publike”, theksoi Basha.

Për demokratët, kjo qeveri është simbol i së keqes dhe kërcënim ndaj demokracisë.

“Premtuan mrekulli, mbollën varfëri dhe pasiguri. Në vitin e dytë të qeverisjes premtimet elektorale të Edi Ramës janë harruar. Kanë marrë kërbaçin në dorë dhe thonë vetëm gënjeshtra. Kështu ka për të përfunduar qeverisja e tyre. Siç thoshte dhe presidenti Kennedy: ne jemi gati të paguajmë çdo cmim, të mbajmë çdo barrë, të ngrihemi dhe t’i kundërvihemi çdo kundërshtari për të siguruar mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë”, tha Basha.

Pjesën përmbyllëse Basha ia kishte rezervuar të ardhmes.

“Le t’i ftojmë shqiptarët të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për ndryshimin epokal. Të luftojmë për një vend me ekonomi më të fortë, ku njerëzit kurohen me respekt dhe shkollat prodhojnë elitarë. Ku mjeku, gjyqtari dhe funksionari paguhen denjësisht, ku gruaja respektohet dhe me një rini dinamike që ndërton të ardhmen, jo e pëërdorur në fushata dhe jo e braktisur pas tyre. Për një vend ku qeveria ndihmon dhe jo sundon. Ndryshimi që po afron është Shqipëria jonë. Është misioni hyjnor që dëshirat e shqiptarëve t’i kthejmë realitet. Le të jetë ky kuvend preludi i rikthimit tonë, më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin dhe me qytetarët shqiptarë”, shtoi Basha.

Top Channel