Katalunja e vendos për referendum

27/09/2014 00:00

Presidenti i rajonit të Katalunjës në Spanjë firmosi dekretin që i hap rrugën mbajtjes së një referendumi popullor për të vendosur nëse duan të shkëputen nga pjesa tjetër e Spanjës apo jo.

Artur Mas thotë se synimi është zhvillimi i një referendumi nën shembullin e Skocisë dhe se më shumë se sa rezultati, i rëndësishëm është procesi.

Referendumi pritet të zhvillohet më 9 nëntor, megjithëse nuk ka mbështetjen e qeverisë qendrore në Madrid. Kjo e fundit ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nismën e Mas dhe kryeministri Rajoy ka deklaruar se do të bllokojë zhvillimin e tij.

Më 19 shtator deputetët e parlamentit rajonal të Katalunjës votuan 106 pro dhe 28 kundër autorizimit të referendumit, që autoritetet lokale e quajnë “konsultim”.

Kjo do të thotë se referendumi, ndryshe nga ai skocez, çfarëdo rezultati të prodhojë nuk do të ketë asnjë fuqi juridike.

Katalunja, me qendër Barcelonën, është rajoni më i pasur dhe i industrializuar i Spanjës, ku së fundmi nga kriza financiare lëvizjet separatiste janë rritur ndjeshëm. Vetë katalanasit akuzojnë se paratë e takasve të tyre po përdoren për të investuar në rajonet më të varfëra të Spanjës.

Top Channel