Sikur të mos mjaftonin kritikat për “elasticitetin” e modelit të fundit të iPhone, Apple është vënë së fundmi në qendër të kritikave për shkeljen e privatësisë.

Ekspertët shprehen “të tmerruar” mbi aftësinë e iPhone për të përgjuar dhe mësuar gjithcka rreth zotëruesit të tij. Në qendër të kritikave është “Frequent Locations”, që Apple e prezantoi një vit më parë, telefonat janë në gjendje të analizojnë të dhënat dhe të identifikojnë se ku punoni dhe jetoni.

Apple thotë se të dhënat e grumbulluara nga ky shërbim nuk dalin jashtë telefonit, madje nuk ruhen as tek serverat e saj.

Noel Sharkey, njëri prej specialistëve më me zë të informatikës në Britaninë e Madhe thotë se me futjen e GPS dhe hartave çdo telefon inteligjent ishte në gjendje të gjurmonte lëvizjet e zotëruesit, por ajo që bëri Apple me “Frequent Locations”, që është pjesë e sistemeve iOS 7 dhe 8, shkon përtej kësaj.

Sharkey thotë se ky shërbim regjistron pastër çdo lëvizje tenden, kur dhe ku je nisur dhe kur e ku ke mbërritur, madje edhe se sa herë ke qenë në një vend të caktuar.

“Kjo është ëndrra e avokatëve të divorcit”, thotë me shaka specialisti britanik, duke shtuar më pas se bëhet fjalë për një pajisje të pastër “spiunazhi”.

Top Channel