Pezullohen 37 kompani nafte dhe gazi

27/09/2014 00:00

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka vendosur përmes një urdhri të
pezullojë 20 për qind të kompanive që tregtojnë naftë dhe gaz me shumicë
në tregun shqiptar.

Përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Energjetikës bëri të ditur se me propozim të Inspektoriatit Qendror Teknik 37 shoqëritë që shesin karburant nuk do të lejohen të ushtrojnë më aktivitetin e tyre. Sipas njoftimit, pezullimi është ndërmarrë për shkak se këto kompani kanë abuzuar me cilësinë e produkteve të tregtuara dhe nuk kanë respektuar detyrimet ligjore ndaj shtetit.

Në njoftim Ministria ka listuar dhe emrat e 37 kompanive të pezullara që rezultojnë të shtrira në gjithë territorin e vendit, edhe pse ndër to nuk figuron asnjë nga kompanitë me peshe të lartë në treg. Pak kohë më parë me propozim të Ministrisë së Energjisë, Kuvendi miratoi një ligj që ashpërson masat ndëshkuese për kompanitë që abuzojnë me cilësinë e karburante. Por së bashku me informalitetin e lartë, cilësia e dobët mbetet një nga problemet më të mëdha në tregun e karburanteve.

Dy vjet më parë Qeveria e asaj kohe kontraktoi me koncesion një kompani austriake për të bërë markimin e karburanteve, një masë që u justifikua se do të disiplinonte cilësinë në treg dhe ulte hapsirat për evazion. Kompania përfiton rreth 6.5 euro për cdo tonë karburant të shitur në treg, edhe pse efekti i koncesionit në përmirësimin e cilësisë ka hapur jo pak debate. Ministria e Financave ka bërë të ditur se është në negociata me kompaninë koncesionare, por pa zbuluar më shumë detaje se cfarë do të ndodh me koncesionin.

Top Channel