Zbulohet varri antik gjigant në Greqi

27/09/2014 00:00

Zbulimi i një varri antik gjigant në veri të Greqisë, që besohet se daton që prej kohës së Aleksandrit të Madh, ka entuziazmuar dhe u ka hequr mendjen përkohësisht qytetarëve grekë nga kriza ekonomike.

Tashmë pyetja që shtrohet, jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë dhe banorët lokalë, por edhe nga vetë historianët është: Kujt i përket ky varr, në hyrje të të cilit shihen qartë statujat pak të dëmtuara të dy sfinksave?

Varri u zbulua në zonën antike të Amfipolit, 100 kilometra në lindje të Selanikut dhe pak më larg nga zona ku ndodhet varri i Filipit të Madh, babait të Aleksandrit.

Struktura dhe stili i ndërtimit, sipas historianëve grekë, i takon shekullit të katërt para Erës Sonë.

“Jemi duke ndjekur me ankth dhe emocione të mëdha zbulimet në Amfipol. Ky është një monument unik sa i përket përmasave dhe mjeshtërisë së ndërtimit”, deklaroi për BBC Ministri grek i Kulturës, Konstantinos Tasoulas.

Pas sfinksave varri “ruhet” nga dy statuja 2.27 metër të larta, që të dyja femra, ndërsa rojet moderne janë dy policë që ruajnë zonën 24 orë në 24 me mision të mbajnë sa më larg gazetarët dhe kureshtarët, deri në momentin kur të kuptohet se për çfarë bëhet fjalë.

Shumica e qytetarëve grekë besojnë se varri është i Aleksandrit të Madh, por autoritetet dhe historianët grekë kërkuan që të mos nxitohej me spekullime të tilla përsa kohë të dhënat historike faktojnë që Aleksandri i Madh është varrosur në Egjipt.

Amfipoli besohet se është themeluar nga athinasit dhe më vonë është pushtuar nga Filipi i Madh, kohë kur njohu edhe zhvillimin më të madh kulturor. Më pas Aleksandri i Madh e ka përdorur si portin kryesor të nisjes së flotave pushtuese në drejtim të Azisë.

Me përjashtimin e emrit të Aleksandrit të Madh, i kujt tjetër është ky varr? Pyetja për momentin nuk mund të marrë përgjigje, e ndoshta përgjigjja do të kërkojë shumë kohë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel