Kushtet për t`u rikthyer në Parlament

27/09/2014 00:00

Një pjesë e rëndësishme e fjalës se zotit Basha ishte ajo që prisnin të
gjithe, për marrëdhëniet e Partisë Demokratike me parlamentin.

“Nëqoftëse Parlamenti i Shqipërisë Demokratike është e duhet të jetë aula e bashkjetesës, dialogut dhe përballjes politike civile mes shumicës dhe pakicës, tribunë e debatit dhe replikave mes palëve, atëherë jashtë parlamentit nuk jemi ne që kemi treguar me fakte, që nga dita e parë e kësaj legjislature, se kemi dashur e duam të diskutojmë e debatojmë, por janë ata, është qeveria oligarkike që nuk duron debatin, që nuk denjon ta dëgjojë opozitën, që nuk e replikon, por ka përcaktuar një politikë të kanosjes dhe ka krijuar repartin e dhunës fizike në Kuvend- një grup deputetësh me rekorde kriminale- për t’i mbyllur gojën opozitës, për të asgjësuar debatin dhe fjalën e lirë në Kuvend.
Siç nuk jemi larguar për arsye meskine nga kuvendi, nuk kemi vënë kushte meskine për tu kthyer atje. E theksojmë: jemi në kushte papajtueshmërie më këtë Kuvend. Kërkohet një vetëdije e re për ta atakuar në themel, sot dhe përgjithmonë, problemin e madh të kriminalizimit të Kuvendit dhe administratës publike; kërkohet një reflektim dhe impenjim i madh, në radhë të parë i kryeministrit të vendit, që është autori numër një i kesaj situate. Më kot shkon me mendimin se opozita do të lodhet dhe do të kthehet e penduar në sallën e Kuvendit. Të mos presë kot, as ai, as suflerët e tij. Edi Rama duhet te flasë, duhet të bëjë një mea culpa të madhe për katranosjen që i ka bërë Kuvendit, në mënyrë që të krijohen premisat për të shkuar drejt një marrëveshjeje të rëndësishme mes shumicë dhe opozitës, që do të zgjidhte njëherë e mirë çeshjen e sovranitetit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhte njeherë e mirë çeshtjen e dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel dhe deri në burmën e fundit mekanizmin që promovon trafikantë, vrasës, pengmarrës në Kuvend dhe në poste publike”, tha Basha.

Top Channel