Europa e varur nga gazi rus

27/09/2014 00:00

Me Rusinë, Europa nuk shkon dot shumë përtej sanksioneve ekonomike, edhe ato deri diku të kufizuara. Vartësia e madhe ndaj gazit rus është një prej arsyeve kryesore që në këtë mes, kontinenti i vjetër e gjen veten me duar të lidhura.

Federata Ruse është eksportuesja më e madhe e BE-së me naftë dhe gaz natyror. Në 2007-n, Bashkimi Europian importonte prej saj 185 milionë tonë naftë bruto, çka përbënte 32.6% të importeve të tij totale të arit të zi.

Përgjatë dekadës së fundit, varësia e Europes nga importi i energjisë është rritur akoma më shumë dhe nga Rusia, sot ajo merr 38% të gazit, 35% të naftës dhe 25% të qymyrit të gurit. Kjo situatë frenon vendosjen e sanksioneve ndaj sektorit energjitik rus.

Moska nga ana tjetër gjeneron rreth 80% të të ardhurave të saj nga shitja e energjisë. Europa ka nevojë për energji, prandaj me sanksione të tilla do të dëmtonte shumë ekonominë. Ekspertët mendojne se në kushtet aktuale, kontinenti i vjetër nuk ka thuajse asnjë shans pavaresie nga Rusia.

Mundësia e vetme është ajo afatmesme dhe zgjidhja do të ishte strategji e shpejtë dhe e fortë për energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjitik. Teknologjia e energjisë së rinovueshme ekziston dhe në 10 vitet ardhshme do të mbulojë 60-70% të nevojës për energji të Europës.

Pas kësaj do të krijohej një pavarësi e ndjeshme nga importi i energjisë dhe nuk do të ishte e vështirë të merreshin edhe vendime politike në situata të vështira, thonë specialistët, që shtojnë se për arritjen e këtij objektivi nevojiten edhe masa të duhura politike, ndërsa deri tani po ndodh e kundërta.

Brukseli sipas tyre, kërkon të mbështesë energjinë atomike që është shumë e shtrenjtë krahasuar me atë të erës dhe energjinë diellore. E kjo konsiderohet rrugë e gabuar sepse edhe një pjesë e uranit vjen nga Rusia, pra Europa mbetet e varur sërish.

Top Channel