Abbas akuzon Izraelin për genocid

27/09/2014 00:00

Në fjalimin e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti palestinez Mahmud Abbas akuzoi Izraelin për genocid në Gaza.

Krimet e luftës në këtë territor nuk duhet të mbeten të pandëshkuara, tha ai, edhe pse nuk sqaroi nëse do t’ia dërgojë çështjen Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Fjalimi i Abbas nuk u prit mirë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, që menjëherë e cilësuan “ofendues”. Konflikti 50-ditor në Gaza i kushtoi jetën 2.100 palestinezëve dhe 73 izraelitëve.

Abbas tha se shkalla e dëmit ishte e papreçedentë dhe tejkaloi përmasat e luftrave të mëparshme. “Konflikti i fundit në Gaza ishte një seri krimesh luftë të pastra, të kryera para syve dhe veshëve të të gjithë botës, moment pas momenti”, tha Abbas.

Ai shtoi se është “e pamundur” që pala palestineze të kthehet në negociata me Izraelin nëse nuk u jepet zgjidhje “çështjeve themelore”.

“Negociatat nuk kanë asnjë kuptim e asnjë vlerë nëse objektivi i tyre nuk është fundi i pushtimit izraelit dhe shpallja e pavarësisë së Shtetit Palestinez, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e të gjithë Territorit Palestinez, të pushtuar në luftën e vitit 1967”, theksoi Abbas.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman reagoi duke e cilësuar fjalimin e Abbas një “deklarat që nxit tensionin dhe e mbushur me gënjeshtra”.

“Deklaratat e tij tregojnë sërish se Abbas nuk dëshiron dhe nuk mund të jetë partner për një marrëveshje diplomatike të arsyeshme”, tha Lieberman. Madje, ai shkoi edhe më tej duke e akuzuar liderin palestinez për “terrorizëm diplomatik”.

Top Channel