Avionët britanikë nisin misionet në Irak

27/09/2014 00:00

Dy avionë luftarakë të Mbretërisë së Bashkuar janë angazhuar në misionin e tyre të parë në Irak që kur Parlamenti autorizoi sulmet kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Avionët tip “Tornado” u nisën nga baza Akrotiri në Qipro për të fluturuar mbi Irak, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas burimeve nga ky institucion, të cituar nga BBC, avionët ishin gati të luanin rolin e tyre në sulmet e koalicionit ndërkombëtar, sapo objektivat të identifikoheshin.

Aksionet e Royal Air Force vijnë një ditë pasi Parlamenti votoi me 524 vota pro dhe 43 kundër pjesëmarrjen në operacionet kundër ISIS në Irak, por jo në Siri.

Avionët “Tornado” kanë kryer misione mbikëqyrjeje mbi Irak në gjashtë javët e fundit, por këto janë fluturimet e para që nga autorizimi për bombardim.

Ata u pajisën me bomba dhe raketa të drejtuara me lazer. Megjithatë, sipas BBC, ka gjasa që ata të kthehen në bazë pa i përdorur armët e tyre, por kjo mbetet për t’u konfirmuar më vonë. “

Tornadot”, që u nisën për mision në orët e mëngjesit, u mbështetën nga një avion “Voyager” për t’u furnizuar me karburant në ajër.

“Mund të konfirmojmë se, pas aprovimit parlamentar të ditës së premte, avionët e RAF vazhduan fluturimin mbi Irak dhe tani janë gati të luajnë rolin e tyre në sulmet kundër ISIS”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes.

“Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të mund të japim detaje mbi lëvizjet e tyre, por do të ofrojmë një përditësim të aktiviteteve në momentin e duhur”, saktësohet në një komunikatë për shtyp.

Top Channel