Japoni, vullkani bllokon 150 alpinistë

27/09/2014 00:00

Një numër i madh alpinistësh kanë marrë lëndime fizike teksa ngjiteshin në malin Ontake të Japonisë, për shkak se shpërthimi i vullkanit lëshoi re të dendura tymi dhe gurë në ajër.

Dëshmitarë kanë treguar për mediat lokale se dëgjuan një zhurmë të fuqishme, të ngjashme me atë të rrufesë para shpërthimit, në malin që ndodhet mes prefekturave Nagano dhe Gifu, me një lartësi prej 3.067 metra.

Kryeministri Shinzo Abe ka deklaruar se ushtria do të angazhohet për të ndihmuar dhe shpëtuar rreth 150 alpinistët që po ngjiteshin në mal.

Autoritetet kanë paralajmëruar ndërkohë banorët brenda një rrezeje prej 4 kilometra për rrezikun e rënies së gurëve. Shpërthimi i fundit në malin Ontake daton në vitin 2007.

Disa alpinistë kanë arritur të zbresin, ndërkohë që dy prej tyre janë plagosur dhe kanë marrë fraktura për shkak të gurëve që fluturonin, raporton televizioni japonez “NHK”.

Tre persona konsiderohen të humbur dhe besohet të jenë varrosur nën hirin vullkanik, shton burimi, ndërsa një i katërt është shpëtuar por ka humbur ndjenjat.

Ndërsa autoritetet e spitalit më të afërt me malin deklaruan se kanë ngritur një ekip mjekësor emergjence për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve. “Presim që të ketë shumë të plagosur, ndaj dhe po bëhemi gati për ta”, tha një prej tyre.

Alpinistët u kapën në befasi në zonën që është dhe një destinacion tepër i frekuentuar turistik, veçanërisht në vjeshtë kur pemët ndryshojnë ngjyrë.

“Zhurma ishte si një rrufe. Menjëherë pasi e dëgjova nisa të largohesha me vrap, por hiri më arriti”, tregoi pronarja e një bujtine për “NHK”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel