Kapen 20 emigrantë klandestinë

27/09/2014 00:00

Policia e qytetit të Gjirokastrës ka zbuluar dhe ndaluar 20 emigrantë klandestinë që po përpiqeshin të kalonin kufirin nga Shqipëria për në Greqi e më pas në vendet e tjera të BE-së.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave klandestinët janë ndaluar në vendin e quajtur Ura, pranë kthesës së fshatit Vrisera.

Sipas burimeve, nga kontrollet e para ka rezultuar se ata vinin nga Eritrea, Senegali, Etiopia dhe Siria.

Konfliktet luftarake në Lindjen e Mesme dhe disa zona të Afrikës kanë rritur ndjeshëm fluksin e emigrantëve që përpiqen të arrijnë kontinentin e vjetër për t’u shpëtuar luftimeve.

Vendet më të prekura nga ky fenomen, edhe për shkak të pozicionit strategjik, janë Greqia, Italia dhe Spanja. Ndërsa rruga e preferuar është ajo me det, përmes Mesdheut, që së fundmi është quajtur edhe “varrezë detare” për shkak të emigrantëve që humbasin jetën përgjatë udhëtimit me mjete lundruese që lënë për të dëshiruar.

Më herët gjatë muajit, mbi 800 klandestinë afrikanë humbën jetën në përpjekje për të arritur brigjet jugore të Italisë, në ishullin e Siçilisë.

Top Channel