Braçe: Shkelja e Kushtetutës, trendi i ri

27/09/2014 00:00

“Të sfidosh Kushtetutën dhe ligjin po bëhet trend në këtë vend!!”. Është ky denoncimi i bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në profilin e tij Braçe i referohet konkretisht rastit të një zyrtari të Bankës së Shqipërisë dhe kritikon ashpër atë që e quan “sportin e vjeshtës”.

“Cilido zyrtar i lartë i Shtetit po bëhet “lojtar”, madje i zoti!! Duke nisur nga njëri prej anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë tek presidenti i Republikes po e bëjnë publikisht e me një arrogancë të pashembullt. Petraq Milo, anëtar i Këshillit Mbikëqyres të Bankës së Shqipërisë, u zgjodh i tillë në shkelje flagrante të ligjit, ushtroi detyrën në tre vitet e fundit në shkelje flagrante të ligjit, madje deri në fund. Unë kam një video të zotërisë duke hyrë në konferencën zgjedhore të PD në Mallakastër si i deleguar i PD në javën e parë të korrikut dhe dy javë para se të publikohej vjedhja historike në bankë!!”, deklaron Braçe.

Ai vlerëson se, kjo që po ndodh sot është “kulmi i arrogancës së këtij zotërie në shkelje të ligjit”.

“Ai është numri 144 në listën e kandidatëve për anëtar i Këshillit Kombëtar të PD; është i ndaluar me ligj ta bëjë këtë!! Por, kërkush nuk flet e vepron sepse po të ndodhë ndryshe “cënohet pavarësia e Bankës së Shqipërisë”!! Ky është kulmi!!”, thotë Braçe.

Ndërkohë, sipas tij, në nivelin e presidentit të Republikës po ndodh një gjë edhe më e rëndë.

“Dëgjova dje me shumë vëmendje dhe natyrisht me vetëpërmbajtje, presidentin lidhur me zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Ai tha se: Guvernatori mund të ishte nga jashtë Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e propozonte ai vetë dhe se më pas bëhej menjëherë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës!! Në fakt ligji thotë krejt ndryshe. Ligji sanksionon se Këshilli Mbikëqyrës përbehet nga 9 anëtarë; 5 të propozuar nga Kuvendi, 3 nga qeveria, 1 nga vetë Këshilli Mbikëqyrës. Të gjithë bashkë bëjnë 9”, vë në dukje Braçe.

Kërkund, vijon ai, në asnjë nen të ligjit nuk thuhet se presidenti propozon një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës apo i imponon Kuvendit, qeverisë, Këshillit Mbikëqyrës një anëtar të propozuar nga ai.

“Nëse ndodh, atëherë presidenti e bën Këshillin në mënyrë të paligjshme me 10 anëtarë!! Edhe ky është një kulm tjetër në paligjshmërinë e nivelit më të lartë të shtetit shqiptar!!”, shton Braçe.

Top Channel