I burgosuri sulmoi prokurorin

27/09/2014 00:00

Pak ditë pasi një prokuror u dhunua nga një i dënuar në burgun e Shën Kollit reagoi Shoqata e Prokurorëve, e cila jo vetëm që dënon këtë akt, por thekson se ngjarja e fundit nuk është një rast i izoluar.

Në njoftimin e shpërndarë, shoqata ngre alarmin se kohët e fundit prokurorët po përballen me presione verbale nga individë, grupe të strukturuara kriminale dhe madje nga segmente të ndryshme të politikës.

Kryetari i shoqatës, Shkëlqim Hajdari ngre alarmin duke shtuar se, episode të kësaj natyre e bëjnë të domosdoshme që prokurorët të kenë një trupë policore sigurie, pjesë përbërese e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme. “Proçedura aktuale e marrjes në mbrojtje të prokurorëve nuk është funksionale”, thotë zoti Hajdari.

Shoqata e Prokurorëve i bën thirrje gjithashtu Drejtorisë së Burgjeve që të marrë masa nëpërmjet përmirësimit të akteve nënligjore për të garantuar siguri maksimale të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore kur ata ndodhen brenda ambjenteve të paraburgimit.

Top Channel