Barcelona, tenis me Granadën, Reali kalon Vijarrealin

28/09/2014 00:00

Barcelona shlyen fajin për paraqitjen në mesjavë ndaj Malagës duke regjistruar një fitore tenistike ndaj Granadës në Kamp Nou. Skuadra katalanase nuk pati mëshirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Kaparros duke e shkatërruar me rezultatin 6-0.

Protagonistë në këtë takim u bënë Neymar dhe Messi e të mendosh që drithërimat e para ishin në portën e Klaudio Bravos kur një prej futbollistëve të Granadës goditi traversën.

Festivali i golave për Barcelonën u hap në minutën e 26 me Nejmarin. Në minutat e fundit të pjesës së parë, skuadra e Luis Enrikes e gjeti edhe golin e dytë, këtë radhë me Rakitiçin pas një pasimi të Messit. Vetëm 120 sekonda më vonë, Messi u bë edhe arkitekti i golit të tretë të shënuar nga Nejmar. Në pjesën e dytë, vetë argjentinasi arriti të gjejë golin, i katërti për Barcelonën, gol që u pasua nga ai i Nejmarit 4 minuta më vonë.

Në çastet e fundit, Messi sërish e çoi topin në rrjetë për të fiksuar shifrat në 6-0.  

Reali i Madridit e kalon me sukses pengesën “El Madrigal” duke thyer Vijarrealin me rezultatin 2-0 për të regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionatin spanjoll. Skuadrës se Karlo Ançelotit i mjaftuan 45 minutat e para për të siguruar këtë sukses të radhës duke i lënë pas krahëve ato momente negative të ndeshjeve të para të sezonit.

Luka Modriç zhbllokoi rezultatin në minutën e 33 dhe kjo erdhi në momentet më të mira të Vijarrealit. Pas 7 minutash Kristiano Ronaldo i çoi shifrat në 2-0 pas një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës së tij. Për portugezin ky ishte goli i dhjetë personal në këtë sezon të kampionatit spanjoll.

Top Channel