Japoni, vdesin 30 alpinistë nga shpërthimi i vullkanit

28/09/2014 00:00

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur 30 trupa alpinistësh që fillimisht nuk dhanë shenja jete pranë majës së malit Ontake në Japoni. Këta persona ishin pjesë e një grupi prej 250 alpinistësh, të cilët po ngjisnin malin, kur papritur pati një shpërthim vullkanik ditën e shtunë.

Sipas ekzaminimeve mjekësore, humbja e jetës erdhi si pasojë e mungesës së oksigjenit, për shkak të llavës vullkanore.

Alpinistët u kapën në befasi në zonën që është dhe një destinacion tepër i frekuentuar turistik, veçanërisht në vjeshtë, kur gjethet e pemëve ndryshojnë ngjyrë.

Japonia është një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik, por nuk ka pasur viktima nga shpërthimet vullkanike që nga viti 1991, kur 43 persona humbën jetën në Malin Unzen.

Japonia i monitoron me shumë kujdes vatrat vullkanike të saj dhe në sinjalin e parë të vogël të aktivitetit sizmik, alpinistët nuk lejohen të ngjiten në mal. Por, kësaj radhe duket se nuk janë marrë masa.

Top Channel