SHBA shkatërron rafineritë e ISIS

28/09/2014 00:00

Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër ISIS-it shkatërroi 3 rafineri nafte në Siri të zotëruara nga xhihadistët.

Thuajse të gjitha sulmet e fundit të ardhura nga perëndimi ndaj ISIS-it janë lokalizuar në qytetin Tal Abyad, shumë pranë kufirit  turk. Ky qytet, i njohur edhe me emrin Kobani në gjuhën kurde, ka qenë një nga pikësynimet e ISIS-it për një kohë të gjatë për shkak të pasurive të mëdha nëntokësore që bart.

Sipas burimeve policore që vijnë nga Lindja e Mesme, këto rafineri, së bashku me disa të tjera, i sjellin grupit terrorist rreth 3 milionë dollarë të ardhura në ditë, çka e fuqizon së tepërmi ISIS-in. Këto të ardhura militantët i përdorin për tu furnizuar me artileri të rënda armatimesh të reja si edhe për të zgjeruar ushtrinë e tyre.

Të dhënat e shifrave të fundit të deklaruara nga vetë kalifati islamik dëshmojnë se luftëtarët e huaj që i bashkohen ISIS-it paguhen rreth 1000 dollarë në muaj, shifër kjo e konsideruar si joshëse nga analistët.

Ndërkohë, koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga SHBA-ja që ndiqet dhe 40 nga vende të tjera perëndimore si edhe arabe, është kërcënuar nga terroristët. Kësaj here, një tjetër grup militant Al-Nusra, i lidhur me Al Kaedën, pjesë e një rrjeti forcash rebele sikurse ISIS-i, ka paralajmëruar vendet e koalicionit se nëse nuk ndalin sulmet në Siri, atëherë do të jenë në rrezik pasi ushtria e tyre do të reagojë.

Në rajonin e mikluar të Kobanit, përveç sulmeve të SHBA-së ndaj ISIS-it, këtyre të fundit i duhet të luftojnë dhe me militantët e Al-Nusrës pasi të gjithë kërkojnë të zaptojnë burimet e nëndheshme të naftës.

Top Channel