PD: BE të mbajë qëndrime ndaj Tiranës

28/09/2014 00:00

Një ditë përpara takimit të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Partia Demokratike ka bërë të qartë se ajo, jo vetëm nuk do të mungojë në dialogun zyrtar mes Tiranës dhe Brukselit, por do t’i kërkojë Komisionit Europian të mbajë qëndrime për situatën politike në Shqipëri.

Kryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, do të jetë bashkë me deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani në takimin me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe kryeministrin Edi Rama.

Zonja Bregu beson se reforma në drejtësi do të jetë fjala kyç në këtë takim, që për Stefan Fulen do të jetë i fundit që kryen në Tiranë si Komisiner për Zgjerimin. Por, përveç se do të kërkojë gjithëpërfshirje reale në procesin e reformës në drejtësi, opozita do të flasë edhe për arsyet përse ajo është jashtë Parlamentit.

“Edhe për ne, Parlamenti është vendi dhe institucioni ku debati politik duhet të zhvillohet. Por, arsyet për të cilat ne jemi jashtë tij, dhe ju tashmë i dini, janë arsye që i kemi bërë me dije dhe nuk do të jenë aspak risi as nesër (të hënën) dhe as për Komisionerin Fule. Besoj se është koha për të kthyer një vëmendje të madhe dhe për të dëgjuar të gjitha palët, për të mbajtur një vesh hapur se në një vend, ku fatkeqësisht pushteti ka dalë mbi shtetin, nuk mund të jetë një proces i vërtet as procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh deputetja Bregu, njëkohësisht edhe bashkëkryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit.

Top Channel