Nishani: Shqiptarët po fuqizohen në Ballkan

28/09/2014 00:00

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Presidenti i Republikës Nishani është takuar në Nju Jork edhe me anëtarë dhe drejtues të rrjetit të profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë.

Kreu i shtetit, fjalën e tij e mbështeti jo thjesht te suksesi i arritur nga shqiptarët në këtë vend, por edhe te forcimi i tyre në Ballkan.

“Të dashur miq, sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po ecën drejt proceseve europianizuese, drejt procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Kosova, prej gjashtë vitesh është e lirë dhe e pavarur, e po ndërton demokracinë dhe shtetin e saj. Shqiptarët në Maqedoni janë jo vetëm një element shtetformues, por edhe një komunitet e shtyllë e garantimit të stabilitetit dhe prosperitetit të Maqedonisë. Shqiptarët e Malit të Zi ishin një faktor i rëndësishëm i Pavarësisë së këtij shteti, ndërsa sot janë një komunitet dhe shtyllë dinjitoze e demokracisë dhe zhvillimit të këtij vendi. Ne, të gjithë bashkë, duhet të jemi vazhdimisht të angazhuar që shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjë e Bujanoc, të kenë të gjithë të drejtat e tyre, veçanërisht ekonomiko-sociale, kulturore dhe arsimore”, u shpreh Presidenti Nishani.

Në një vend si Shtetet e Bashkuara – tha Presidenti i Republikës, – ku organizimi i komunitetit është jo vetëm një e drejtë, por një mënyrë e funksionimit të shoqërisë, aftësia për të bashkuar kontributet personale është një garanci për sukses.

Top Channel