Mashtrimi me TVSH, 9 kompani në gjyq

28/09/2014 00:00

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen e 9 kompanive tregtare, që kishin realizuar një skemë mashtrimi me TVSH-në.

Janë 14 administratorë, që janë vënë nën akuzë, dhe do të përballen me procesin gjyqësor. Sipas Prokurorisë, dëmi që i kishin shkaktuar shtetit këto kompani shkon në 26 milionë euro.

Skandali ishte zbuluar dhe denoncuar nga Drejtoria e Tatimeve. Kompanitë e vëna nën akuzë realizon operacione fiktive tregtie dhe përfitonin rimbursime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga shteti.

Sipas hetimit, subjektet janë të regjistruara si në QKR, ashtu edhe në Tatime në mënyre fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe përdorimin e këtyre blloqeve, duke lëshuar fatura shitjeje me TVSH fiktive, për shitje skrapi.

Këto kompani bënin vetëm lëshim të faturës tatimore të shitjes, për efekt të kreditimit të TVSH-së, pa dërguar në fakt mallin. Katër prej administratorëve janë në gjendje “arresti në burg”, tetë të tjerë janë në “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitjeje”, pasi gjykata ndryshoi masën e sigurisë, ndërsa dy janë “hetuar në mungesë”.

Top Channel