Kriza financiare në sistemin energjitik

28/09/2014 00:00

Sistemi energjitik në vend po përballet me dy gropa financiare, të shkaktuara, e para si pasojë e nivelit të lartë të humbjeve në rrjet dhe, e dyta, sipas Ministrisë së Energjitikës, për shkak të politikave të ndjekura nga qeveria e mëparshme me koncesionet e HEC-eve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjisë, mesatarja e humbjeve për vitin 2014 llogaritet në rreth 40%, gjysma e së cilës vjen si pasojë e rrjetit të amortizuar. Ndërsa gjysma tjetër llogaritet si humbje joteknike për shkak të vjedhjes së energjisë, duke i shkaktuar qeverisë një gropë financiare vjetore që, në total, kap shifrën e 150 mln dollarëve.

Kjo shumë, që për vitin 2013 ishte 180 mln dollarë, për shkak se niveli i humbjeve ishte më i lartë, përballohet nga buxheti i shtetit dhe jo drejtpërdrejt nga tarifa e energjisë. Por, hendeku financiar rëndohet më tej si pasojë e detyrimit të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare për të blerë energjinë e prodhuar nga HEC-et e dhëna me koncesion, me çmim te rregulluar, më të lartë se ai i importit.

Kështu, nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kW/h, kap shifrën e 32.6 mln eurove.

Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet në shifrën 39.7 mln euro. Hendeku financiar shkon në rritje në vitet në vazhdim, edhe si pasojë e hyrjes në funksion të HEC-eve të tjera, duke çuar koston për vitin 2019 deri në 80.8 mln euro.

Për zbutjen e gropës së parë financiare, qeveria pritet të shfrytëzojë kredinë e marrë nga Banka Botërore prej 150 mln dollarësh, në mënyrë që brenda pak vitesh të mund të reduktojë humbjet teknike dhe joteknike.

Ndërsa për gropën e dytë financiare, zgjidhja do të kërkohet përmes balancës mes uljes së çmimit, me të cilën KESH blen energjinë nga HEC-et private, ose rritjes së çmimit, me të cilën Koorporata ia shet Operatorit të Shpërndarjes, çka nuk do ishte e preferueshme pasi do të çonte në rritjen e tarifës për konsumatorët.

Ministria e Energjisë thotë se zgjidhja afatgjatë është liberalizimi i tregut dhe shkëputja e Koorporatës nga detyrimi për të blerë energjinë e HEC-eve private, që në total llogariten në rreth 400 koncesione të dhëna.

Top Channel