Rama fton sipërmarrësit italianë

28/09/2014 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, si vendi që hap miqësisht dyert për investitorët e huaj, siç tha ai.

Me sipërmarrësit italianë, kreu i qeverisë shqiptare evokoi madje edhe kohën e lavdishme të marrëdhënieve tregtare 500 vjet më parë, mes Venecias dhe Shqipërisë.

Gjatë vizitës dyditore në Veneto, kreu i qeverisë shqiptare, përpara dhjetra invenstitorëve nga vendi fqinj, nënvizoi këtë fakt për të treguar se sa efektiv është për sipërmarrësit rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

“500 vite më parë, paraardhësit tanë kishin kuptuar gjithçka dhe bënin që në atë kohë vajtje-ardhje ndërmjet Venecias dhe Shqipërisë. Ndoshta është koha për ta kujtuar dhe për t’u kthyer 500 vite më parë, për të rinisur, sepse kemi kaluar 500 vite dhe s’kemi kuptuar asgjë”, u shpreh Rama.

Kompani të rëndësishme u vizituan nga kryeministri Rama, ku drejtuesve e sipërmarrësve të njohur në sektorë të ndryshëm, ai iu paraqiti mundësitë e pafundme në vendin tonë për të investuar. Në “Fincantieri”, kompania më e madhe në Europë dhe e katërta në botë për ndërtimin e anijeve, drejtuesit e saj shfaqën interes për të vizituar Shqipërinë dhe për të hapur një kantier në vendin tonë.

Përpara 200 sipërmarrësve nga rajoni i Venetos, kryeministri identifikoi energjinë, turizmin dhe bujqësinë, si fushat ku ata mund të zhvillojnë më tej investimet e tyre edhe në Shqipëri.

Është marrë një paketë masash, – tha kryeministri, – për të lehtësuar jo vetëm nisjen e një investimi në Shqipëri, por edhe ecurinë e tij në vite.

“Ne kemi ngritur një strukturë lehtësuese shoqërimi, për sipërmarrjet dhe sipërmarrësit që vijnë në Shqipëri, për të shmangur të gjithë burokracitë. Kemi miratuar gjithashtu një kuadër ligjor, i cili lejon ofrimin e hapësirave me qira për 1 euro në vit, pra falas, për një periudhë 20-30-40-vjeçare, varet nga lloji i investimit, lloji i strukturës që do të vendoset aty”, vijoi më tej kryeministri Rama.

Situata është tashmë shumë favorizuese dhe aspak burokratike në Shqipëri – tha kryeministri, – ku dominojnë transparenca dhe shpejtësia në kryerjen e veprimeve fiskale. Në këtë të fundit, ai renditi rimbursimin në kohë të TVSH-së për bizneset. Por, theksin e vuri në ndihmesën që shteti i jep manifakturave, të cilat nuk paguajnë kontribute shoqërore vitin e parë, dhe nuk paguajnë tatim mbi fitimin të gjitha ato sipërmarrje, që paraqesin projekte inovacioni dhe investimesh, që shoqërohen me hapjen e vendeve të reja të punës.

“Me pak fjalë, një sipërmarrje e fortë, një sipërmarrje e shëndetshme nuk paguan asgjë, sepse atë që paguan si tatim mbi fitimin, e rimerr si formë mbështetjeje për inovacion, për investime dhe vende të reja pune, dhe praktikisht operon pa taksa”, deklaroi Rama.

Duke garantuar se çdo investitor i huaj do të ketë në krah qeverinë shqiptare, që tashmë ka miratuar një paketë të qartë masash në ndihmë të tyre, kryeministri tha se kjo shtysë e qeverisë ka dhënë frytet e veta në një periudhë 7-mujore. Rritja e eksporteve ka qenë 30% – tha ai, – ku gjeti rastin të përmendë edhe masën tjetër mbrojtëse të eksportuesve pa risk, gjë që bën kalimin burokratik në dogana shumë më të shpejtë.

Top Channel