Rajonet e kërcënuara të Europës

28/09/2014 00:00

Rajoni i Ballkanit dhe ai i vendeve Baltike konsiderohen si më të kërcënuarat në Europë, për shkak të afërsisë gjeografike me rajonet e trazuara, por edhe për shkak të specifikave të tjera historike, ekonomike dhe sociale.

Dy kërcënimet më të mëdha, me të cilat përballet sot bota, ai nga Rusia pas aneksimit të Krimesë dhe ai nga Shteti Islamik, kanë bashkuar në një tryezë vendet e Ballkanit dhe ato Baltike nën prezencën dhe iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Tryeza e ministrave të Jashtëm të rajonit tonë dhe vendeve Baltike, me prezencën e ndihmës/Sekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe zyrtarit të lartë të NATO-s për sigurinë, u drejtua nga Shqipëria, si kryesuesja e radhës e Kartës së Adriatikut, ku pjesëmarrëse ishte edhe Kosova.

Krizat sjellin nevojën e rritjes së bashkëpunimit më të madh mes tyre në fushën e sigurisë, ndërsa vendet e Ballkanit kanalizuan këtë diskutim te rritja e kapaciteve për të frenuar fenomenin e luftëtarëve nga rajoni, që i bashkohen Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

“Si vendet e A5, ashtu edhe vendet e G3 janë sot përballë sfidave të njëjta, me të cilat përballet edhe familja jonë euro-atlantike. Nga Lindja, për shkak të situatës së tensionuar në Ukrainë, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, si dhe sfida që vjen nga Juglindja e Europës, duke nisur me të ashtuquajturin Shtet Islamik në Lindjen e Mesme, dhe me sfidën e madhe të përbashkët për shkurajimin e luftëtarëve të huaj, një sfidë që është globale, me të cilën janë prekur të gjitha vendet tona”, u shpreh ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Në tryezë u rikonfirmua qëndrimi pro i Shqipërisë, por edhe vëmendja e spikatur e SHBA-ve për anëtarësimin e shpejtë në NATO të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Gjeorgjisë. Ndërsa Shqipëria i shtoi këtij qëndrimi edhe kërkesën për institucionalizimin e marrëdhënieve NATO-Kosovë, si dhe kërkesën për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Top Channel