Partia Demokratike mbylli pasdite Kuvendin Kombëtar, ku u votua për 150 anëtarë të Këshillit të ri Kombëtar, si dhe për ndryshimet në statut.

Ish-kryetari i demokratëve Sali Berisha zgjodhi të votojë në fund të procesit, duke vlerësuar pozitivisht listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Por ajo që vleresoi më shumë ish-kreu i demokratëve ishte mesazhi i dhënë në ditën e parë të kuvendit, nga pasardhësi i tij, Lulzim Basha.

“Fjalimi i zotit Basha ishte fjala e përgjegjësisë së madhe e kryetarit të PD-së, e vendosmërisë së madhe për t’u paraqitur shqiptarëve realitetin dhe për të udhëhequr demokratët drejt fitores së sigurt të pashmangshme. Njëlloj si bleta që me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës, po kështu edhe demokratët arkitektojnë  fitoren e bukur të ardhshme në kohën më të parë të mundshme”, u shpreh Berisha.

Sipas zotit Berisha për Partinë Demokratike është me rëndësi jetike ndezja e shpirtit të protestës te çdo qytetar, kundër të cilit bëhet një padrejtësi.

“Unë po them se çdo ditë që kjo klikë rri në grabitje, se kjo nuk qeveris, por vetëm grabit është dënim për qytetarët shqiptarë. Ditë dënimi për qytetarët shqiptarë”, deklaroi ish-kreu i PD.

Ish-kryeministri Berisha preferoi të mos u japë përgjigje direkte pyetjeve për çështjet e rëndësishme të hyrjes së demokratëve në Parlament, apo për pritshmëritë e opozitës pas propozimit për marrëveshje nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Me përgjegjësi dhe saktësi do t’ju thotë kryetari në momentin e parë që të gjendet pranë jush, por ajo që kuptova unë, që opozita, e cila ‘de fakto’ është mazhoranca sot, sepse Kuvendi i PD tregoi se mazhoranca është spostuar, ka kaluar në kahun e demokratëve dhe po pret me shpejtësi, pra do të përcaktohen pikat dhe do të bëhen publike”, shtoi Berisha.

Top Channel