Turizmi shqiptar promovohet në Meksikë

28/09/2014 00:00

E pranishme ne aktivitetet e organizuan me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Turizmit në Guadalajara të Meksikës, ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, në një intervistë telefonike për “Top Channel” tregon qëllimin e këtij aktiviteti, i cili këtë vit kishte si temë të tij “Turizmi dhe Zhvillimi i Komunitetit”.

“Përvoja që unë ndava në panelin e Ditës Botërore të Turizmit i mëshoi idesë që të gjithë individët, përfaqësues të komunitetit mund të përfshihen në sektorin e turizmit, në sektorin e shërbimeve, në projektet komunitare. Të cilat synojnë ruajtjen e traditës, identitetit të komuniteteve, vlerave, të cilat i bëjnë komunitetet autotentik dhe bëhen më shumë tërheqës për turistët. Në përgjithësi përvoja e vendeve të ndryshme tregon që komunitetet po përfitojnë nga sektori i turizmit. Në nivel botëror 1 në 11 persona është i përfshirë në sektorin e turizmit”, u shpreh ministrja Gjermeni.

Duke u ndalur te Shqipëria dhe përfshirja e komunitetit në turizëm, ministrja Gjermeni shprehet se të gjitha shtresat janë përfshirë në hartimin e strategjive për truzimin si dhe po bashkëpunohet me to për hartimin e paketës lehtësuese për turizimin.

“Mendoj që të gjitha grupet e interesit në Shqipëri janë të përfshira konkretisht në hartimin e strategjisë që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka realizuar për 2014-2020-ën. Kemi rishikuar ligjin e turizmit, gjithashtu po hartojmë së bashku paketën e lehtësirave fiskale dhe administrative për turizmin”, tha  Eglantina Gjermeni.

E pyetur lidhur me njohjen e Shqipërisë si destiancion, turistik, ministrja Gjermeni u shpreh se këto aktivitete shërbejnë më së miri për promovimin e turizimit, por sipas saj duhet ende punë.

“Ne jemi vet të ndërgjegjshëm se informacioni që ekziston për Shqipërinë nuk është ai i duhuri. Ne duhet të punojmë shumë për promovimin. Në kuadër të promovimit të Shqipërisë për potencialet e saj turistike i shërbejnë jo vetëm panairet, por edhe pjesëmarrja në aktivitete të tilla. Ajo që na duhet të bëjmë duhet të punojmë shumë për produktet turistike të zonave të veçanta në Shqipëri dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për sa i përket turistëve”, shtoi ministrja.  

Top Channel