Obama: Nënvlerësuam kërcënimin e ISIS-it

29/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka pranuar se SHBA-ja e ka nënvlerësuar kërcënimin e militantëve të ISIS-it në Siri. Në një intervistë televizive për CBS, Obama tha se Al-Kaeda është thyer në Irak nga forcat amerikane në bashkëpunim me tributë sunite, por ata përfituan nga boshllëku i pushtetit në Siri për të rilindur si ISIS.

“Gjatë kaosit të luftës civile në Siri, ku kishte territore të gjera të paqeverisura, ata ishin në gjendje të rigrupoheshin dhe të rekrutonin luftëtarë nga vende të tjera. Gjithashtu, ata fituan aftësi ushtarake duke marrë në gjirin e tyre pjesëtarë të ushtrisë së vjetër të Sadam Hysenit në Irak”, theksoi Obama.

Presidenti vuri në dukje se drejtori i inteligjencës, James Clapper, ka pranuar se SHBA-ja ka “nënvlerësuar situatën në Siri”. I pyetur nëse SHBA-ja ka mbivlerësuar aftësinë e ushtarakëve irakenë për të luftuar xhihadistët, Obama tha: “Mëse e vërtetë.”

Një koalicion i udhëhequr nga amerikanët dhe ku bëjnë pjesë vende perëndimore dhe arabe ka nisur një valë sulmesh ajrore ndaj ISIS-it duke goditur objektiva strategjikë.

Top Channel