Borussia Dortmund, Gundogan pranë rikthimit

29/09/2014 00:00

Ilkay Gundogan është pranë rikthimit në fushat e blerta pas një dëmtimi që e la thuajse 1 vit pa luajtur me Borussian e Dortmundit dhe kombëtaren gjermane.

Mesfushori me origjinë turke ka luajtur ndeshjen e fundit me klubin e tij në gusht të vitit 2013, një fitore 4-0 ndaj Augsburgut. Tashmë, Gundogan ka deklaruar se mund të kthehet brenda dy javëve të kontribuojë sërish për skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp.

“Ndjej se po e rifitoj formën time më të mirë. Rikthimi im nuk është i largët. Mund të luaj pas pushimit të kombëtareve”, tha mesfushori për ‘Kicker’.

Dëmtimi në shpinë, siç tregon vetë Gundogani, ka qenë eksperienca më e vështirë e karrierës së tij: “Ndihesha si një 90-vjeçar ditët e para pas dëmtimit. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje tërheqja nga futbolli, por ishte një periudhë e keqe për mua.”

Dortmundi do të ndeshet me Këlnin në 18 tetor, në ndeshjen e parë të kampionatit pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve.

Top Channel