Ukrainë, rebelët vrasin 7 ushtarë

29/09/2014 00:00

Shtatë ushtarë ukrainas kanë mbetur viktima të një shpërthimi të shkaktuar prej separatistëve pro-rusë, në automjetin me të cilin po udhëtonin, pranë aeroportit të Donjeckut në Lindje të Ukrainës. Lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i ushtrisë gjatë së hënës, duke i dhënë kështu një goditje armëpushimit të brishtë.

Ky ishte incidenti me më shumë humbje jetësh mes ushtarëve ukrianas, që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit të 5 Shtatorit, duke hedhur kështu hije dyshimi ndaj përkufizimit të Presidentit Petro Poroshenko, javën e kaluar, se më e keqja e luftës kundër separatistëve ka marrë fund.

Zëdhënësi ushtarak Andriy Lysenko tha se sulmi i ardhur nga një tank i separatistëve shkatërroi një automjet të madh ushtarak gjatë natës së të dielës, gjatë përpjekjes së rebelëve për të mësyrë në aeroportin ndërkombëtar të Donjeckut, i cili kontrollohet ende nga forcat qeveritare.

Rebelët vazhdojnë të mbajnë pikat kyçe brenda qytetit industrial, me një popullsi përpara kësaj lufte prej rreth 1 milion banorësh.

“Gjatë sulmit të mbrëmjes, transportuesi i blinduar ukrainas, së bashku me ekuipazhin dhe një njësi paraushtarake, u trondit nga një goditje predhe e lëshuar nga tanket e rebelëve”, tha Lysenko për gazetarët.

“Menjëherë nisën luftime intensive, ndërsa paraushtarakët tanë pësuan shumë humbje”, shtoi ai, duke thënë më pas për “Reuters” se 7 ushtarakë kanë vdekur, ndërsa në një bilanc të bërë për 24 orët e fundit, ai tha se janë 9 ushtarë të vrarë dhe 27 të tjerë të plagosur.

Nën presionin e qeverive të Perëndimit, Poroshenko bëri thirrje për armëpushim pasi trupat e tij po pësonin humbje të mëdha në terren kundër separatistëve në Gusht, ndërhyrjen e të cilëve Kievi e përshkroi si një ndërhyrje të forcave ruse.

Moska, që kundërshton kursin pro-perëndimor të ndërmarrë nga ish-republika e Bashkimit Sovjetik, mohon që trupat ushtarakë të saj të kenë pasur rol apo ndikim të drejtpërdrejt në konflikt, apo të kenë ndihmuar separatistët me furnizime me armë, pavarësisht se Kievi dhe Perëndimi thonë se kanë prova të pakundërshtueshme.

Top Channel