Turqia përforcon kufirin me Sirinë në Kobani

29/09/2014 00:00

Tanke dhe mjete të blinduara nga Turqia kanë zënë pozicionet e tyre në një kodër përgjatë kufirit me qytetin sirian të pushtuar, Kobani, gjatë së hënës, teksa sulmet me predha prej kryengritësve të Shtetit Islamik janë intensifikuar dhe sulme sporadike kanë prekur edhe territorin turk.

Të paktën 15 tanke janë dislokuar në vendngjarje, disa prej të cilëve me armë të drejtuara drejt territorit sirian, pranë një baze ushtarake turke në Veriperëndim të Kobanit. Shtëllunga tymi janë parë në qiell, teksa bombardimet kanë prekur si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin e Kobanit.

Më shumë tanke dhe mjete të blinduara janë lëvizur drejt kufirit sirian, pasi të paktën 2 predha kanë goditur territorin turk gjatë së hënës. Ushtria tha më herët se gjatë së dielës u ishte kundërpërgjigjur agresorëve, pasi dy mortaja kishin rënë në kufirin turk.

Kryengritësit e Shtetit Islamik nisën sulmin e tyre ndaj Kobanit, një qytet ku mbizotërojnë kurdët, i njohur gjithashtu edhe si Ayn al-Arab, më shumë se 1 javë më parë, duke pushtuar atë nga tri krahë dhe duke detyruar më shumë se 150 mijë kurd të arratiseshin drejt Turqisë.

“Për shkak të bombave, të gjithë po mundohen t’ia mbathin. Kemi dëgjuar që shumë njerëz janë vrarë. Forcat kurde Peshmerga kanë armë të lehta, ndërsa militantët e Shtetit Islamik kanë armatime të rënda dhe tanke”, tha Xelil, një inxhinier 39-vjeçar, i cili u largua nga Kobani gjatë së hënës.

“Shumica e njerëzve po largohen tashmë, më përpara ka qenë një qytet i sigurt, por tani me gjithë këto shpërthime bombash, njerëzit nuk do të qëndrojnë”, tha ai.

Turqia ka refuzuar deri më tani të marrë një rol parësor në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik, por Presidenti Tayyip Erdogan tha se trupat turke mund të shfrytëzohen për të krijuar një strehë të sigurt për refugjatët brenda Sirisë, nëse do të ketë një marrëveshje ndërkombëtare.

Top Channel