Transporti publik i së ardhmes

29/09/2014 00:00

Në Izraeli ka nisur puna projekti për ndërtimin e një rrjeti transporti, që projektuesit e cilësojnë si transporti i së ardhmes.

Projekti pilot i kompanisë “Israel Aerospace Industries” kap një gjatësi prej 500 metrash për momentin që në bazë të suksesit mund të zgjerohet gradualisht dhe ambiciet janë që shtrirja e tij të kalojë kufijtë e vendit.

Plani parashikon ndërtimin e një infrastrukture automjetesh që do të funksionojnë me energji elektrike, të ngjashme me teleferikët, por shumë herë më të shpejta.

Puna për ngritjen e këtij sistemi në një nga zonat më të frekuentuara të Tel Avivit ka nisur që në muajin qershor dhe afati për përfundimin e tij është fundi i vitit të ardhshëm.

Risia qendron në përdorimin e teknologjisë së avancuar, ku klientët mund të rezervojnë një taksi nëpërmjet telefonit në një stacion të caktuar.

Projekte të ngjashme janë miratuar edhe në vende të tjera të globnit si në Indi, Shtetet e Bashkuara dhe Japoni, por projekti izraelit është i vetmi ku ka nisur puna për realizimin e tij.

I njohur ndryshe si “SkyTran” dhe i prezantuar fillimisht nga agjencia hapësinore e Shteteve të Bashkuara, NASA, ky lloj transporti synon të revolucionarizojë këtë sektor brenda disa dekadave.

Top Channel